Në një kohë kur bashkia më e madhe në vend, Tirana, ndodhet në ngërç për datën e zgjedhjeve, për shkak të pezullimit të 9 nëntorit nga Gjykata Kushtetuese pas ankimit të Erion Veliajt, qeveria sqaron edhe njëherë se vendimi për shkarkimin e tij ishte i drejtë. Këtë të enjte, Këshilli i Ministrave i dërgoi Kushtetueses argumentet e shkarkimit të Veliaj si kryebashkiak. “Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim”.