Mikpritja është një traditë e lashtë po aq sa populli shqiptar, një traditë autentike që e kemi trashëguar ndër shekuj. Të huajt që kanë vizituar trojet shqiptare kanë vlerësuar popullin shqiptar pikërisht për mikpritjen, që momentin kulminant të saj ka Dollinë, një ritual që lartëson mikun. Sot, Dollia është Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, ndërkohë që pritet të jetë edhe Trashëgimi e Pasurisë Botërore në UNESCO. Për të folur për këtë ritual autentik në rajon, ndodhemi sot në Gramsh, një nga qytetet që e ka ruajtur dhe trashëguar Dollinë. Për banorët e këtyre zonave, miku nuk është thjesht një vizitor, por njeri që sjell nder në shtëpi.