Zhvillime të forta sa i përket një prej dosjeve më të nxehta të SPAK që lidhet direkt me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Prokuroria e Posaçme po e heton Hysenin edhe për veprat e korrupsionit pasiv dhe pastrim parash për shkak të gjetjeve të fundit nga ana e prokurorëve. Ata kanë gjetur disa dokumente gjatë kontrolleve dhe dyshojnë se përmes një kompanie janë bërë transaksione në emër të të vëllait të Hysenit, Ized Dinglerit. Janë rreth 950 mijë euro që mendohet se janë kaluar si transferta drejt një kompanie gjermane që administrohet nga vëllai i saj. Po ashtu, një transfertë prej 450 mijë eurosh është tentuar të kalohet më 26 shkurt 2024, me përshkrimin “Pagesë për kontratë huaje”, por është anuluar 24 orë më vonë.