Gjatë vizitës në Bruksel, në kuadër të Samitit të Zgjerimit, Kryeministri Edi Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin ka biseduar për sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimin e bashkëpunimit strategjik brenda aleancës dhe rolin e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes. Gjatë takimit mes dy zyrtarëve të lartë është rikonfirmuar mbajtja në Tiranë e Samitit të radhës të NATO-s, që do të mbledhë në kryeqytetin shqiptar udhëheqësit e vendeve anëtare të aleancës euroatlantike. Organizimi i këtij samiti përbën një moment me rëndësi për Shqipërinë, si një aleat me rol dhe përgjegjësi në rritje në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.