Ilir Meta prej 18 muajsh ndodhet në paraburgim dhe pamjet e fundit publike të tij ishin ato të arrestimit më 21 tetor 2024. Por ish kreu i shtetit në seancën e parë gjyqësore ndaj tij është shfaqur i transformuar. Në këto muaj në izolim ka rënë në peshë dhe ka pësuar një ndryshim në pamje. Këtë të hënë në seancën e parë që u transmetua online, Meta u shfaq pas kafazit të xhamit, teksa pranë tij ishin ish bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe avokati Kujtim Cakrani. Kafazi i qelqtë dhe transmetimi live i seancave gjyqësore ishin retorika e gjyqeve të zyrtarëve të lartë, që nga ish presidenti Ilir Meta tek Erion Veliaj dhe Arben Ahmetajt. Në gjyqin ndaj Erion Veliajt u rrëzua kërkesa që kryebashkiaku të mos mbahet në kafazin e xhamit. Përplasjet mes Veliajt dhe Dados nuk munguan as në këtë seancë. Prokurori Dado tha se nuk është problem kafazi prej xhami pasi ka një të çarë në strukturë që lejon komunikimin, duke ironizuar se kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje. Ky koment bëri që gjykata t’i tërhiqte vëmendjen. Më herët edhe ish ministri Ilir Beqaj ka paraqitur të njëjtën kërkesë referuar edhe deklaratës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit.