Zhvillimi i Shqipërisë dhe interesi në rritje i turistëve për të vizituar vendin tonë ka sjellë një boom ndërtimesh gjatë vijës bregdetare. Kryesisht ka qenë e përqendruar në jug të vendit, por në vitet e fundit dhe plazhe si Velipoja apo Shëngjini nuk i kanë shpëtuar këtyre ndërhyrjeve. Një kolonë me makina me xhama të zinj dhe persona të armatosur të udhëhequr nga biznesmeni Luan Muça shkojnë në hotelin në pronësi të Vasil Bedinajt. Diskutimi mes biznesmenëve degjeneroi në sherr verbal e fizik, madje deri në përdorimin e armëve. Bedinaj akuzoi menjëherë Muçën se i kishte vendosur gjobë 5 mln euro, ndërsa pamjet e sherrit tronditën opinionin publik. Gjykata e Vlorës ka vendosur detyrim paraqitje për biznesmenët, ndërsa për njerëzit e tyre që kanë përdorur dhe armët është vendosur masa e arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi. Arsyeja e vërtetë e sherrit ndërmjet Muçës dhe Bedinajt lidhet me një tokë që e pretendojnë të dyja palët. “Molla e sherrit” është një rrip toke në Palasë ku duan të ndërtojnë të dyja palët resortet e tyre. Muça në reagimin e tij ka mohuar kategorikisht gjobëvënien, por ka akuzuar Bedinajn se i është mbivendosur në pronë. Të njëjtin pretendim ka dhe pala tjetër.