Në Partinë Socialiste, vendimmarrja duket gjithnjë e më e përqendruar te kryetari, e këtë e tregoi Asambleja e Partisë Socialiste këtë të shtunë. Elisa Spiropali jashtë forumeve drejtuese, Erion Veliaj në një betejë juridike dhe politike për të ardhmen e tij, Belinda Balluku në qendër të përplasjes me drejtësinë, ndërsa drejtimi politik i Tiranës kalon në duar të reja. Nga Mamica e Skënderbeut, nga forumet e Partisë Socialiste te një e ardhme politike gjithnjë e më e paqartë për Elisa Spiropalin. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Edi Rama kërkoi përjashtimin e saj dhe të Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste. Por kërkesa nuk u hodh në votim, pasi pati kundërshtime nga disa prej anëtarëve të Asamblesë. Mesazhi i Spiropalit ishte i drejtpërdrejtë: ajo deklaroi se është kundër atyre që abuzojnë me pushtetin.