Banka Qendrore Evropiane aktivizoi një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit. Me këto mjete do të paguhen borxhet e qeverive dhe kompanive në vendet e Eurozonës. Shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha se ky institucion do të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur euron në “këto kohë të jashtëzakonshme”. Sipas një vlerësimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa tani është epiqendër e shpërthimit të koronavirusit, i cili për herë të parë është shfaqur në Kinë, në fund të vitit të kaluar.