Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur pasi një avion u rrëzua në një qytet të njohur turistik brazilian. Mësohet se avioni goditi oxhakun e një ndërtese dhe më pas një shtëpi, përpara se të përplasej me një dyqan mobiljesh në Gramado. Piloti i avionit humbi jetën bashkë me nëntë pasagjerët e tjerë, të gjithë pjesëtarë të familjes së tij. Ndërsa 17 persona në tokë u plagosën, me dy prej tyre që janë në gjendje të rëndë. Pati edhe nga ata që u trajtuan në spital për shkak të thithjes së tymrave. Nuk dihet ende se cili ishte shkaku i aksidentit. Mediat lokale raportuan se pasagjerët ishin anëtarë të së njëjtës familje dhe po udhëtonin për në shtetin Sao Paulo nga një qytet në Rio Grande do Sul. I vendosur në një rajon malor, Gramado është destinacioni më popullor turistik në Rio Grande do Sul. Aksidenti ndodhi pak ditë para Krishtlindjeve, një periudhë veçanërisht e ngarkuar për qytetin.