Pas zjarrit në kompleksin e banimit pranë farmacisë nr.10 në Tiranë, qeveria pritet të ndërhyjë në skemën e pagesave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Në një projektvendim të ri, propozohet unifikimi i trajtimit financiar për zjarrfikësit, si dhe vendosja e një kufiri maksimal prej 200 orësh shtesë pune në vit për personelin operacional. Sipas draftit, orët shtesë në ditë të zakonshme do të paguhen me 25% mbi pagën, ndërsa për punën në mbrëmje parashikohet shtesë 20%. Ndërkohë, puna gjatë natës, në pushim javor apo në festat zyrtare do të kompensohet me 50% të pagës.