Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për përballimin e situatës së zjarreve në disa zona të vendit, me fokus të veçantë në malin e Dajtit dhe në territorin e Pukës. Në malin e Dajtit, operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit po vijon si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Në terren janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për përballimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve. Ndërhyrja tokësore po mbështetet edhe nga një helikopter, i cili po kryen ndërhyrje nga ajri në zonat e prekura. Terreni i vështirë malor paraqet vështirësi për operacionet, por fatmirësisht nuk rrezik për zonat e banuara.