Një makinë dhe një kasolle u përfshinë nga flakët mbrëmjen e së dielës në lagjen ‘Dunavat’ në Gjirokastër, duke vënë në alarm shërbimet zjarrfikëse. Rreth orës 23:15 minuta, zjarrfikësit në Gjirokastër u njoftuan për një automjet që kishte marrë flakë. Në vendngjarje u nis menjëherë grupi i shërbimit me automjetin zjarrfikës, por me mbërritjen e tyre autovetura ishte përfshirë tërësisht nga flakët. Zjarri u shua pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, por automjeti u shkrumbua plotësisht. Vetëm 10 minuta më vonë, pranë vendit ku makina u dogj, u konstatua edhe një tjetër vatër zjarri, këtë herë në një ambient-kasolle ku ishin grumbulluar materiale të vjetra. Edhe kjo vatër u neutralizua nga shërbimi zjarrfikës. Nga zjarri u dogjën disa rroba dhe materiale të vjetra, ndërsa nuk pati dëme të tjera. Dy ngjarjet në të njëjtën zonë dhe brenda pak minutash kanë ngritur pikëpyetje për rrethanat e tyre. Organet ligjzbatuese po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave.