Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Durrësit, duke zhbllokuar fondet për pagat e punonjësve të tyre. Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll konfliktin në themel. Masa synon të shmangë pasojat e menjëhershme të bllokimit të fondeve dhe të garantojë vijimin e pagesave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për çështjen. Me të njëjtën kërkesë është paraqitur në administrative edhe Gjykata e Lartë dhe dokumentacion të ngjashëm po dorëzojnë edhe gjykatat e tjera të vendit, përfshirë ato të apelit. Kjo është pjesa civile e përballjes së gjyqësorit me qeverinë për çështjen e pagave. Pjesa penale është depozituar të enjten në SPAK, ku është kallëzuar për shpërdorim detyre dhe moszbatim të vendimit të gjykatave ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Gentian Këri. Kallëzimi penal përfshin edhe 14 drejtuesit e degëve të thesarit në të gjithë vendin. Padia është firmosur nga drejtuesit e të gjitha gjykatave të vendit dhe dy shoqatat e magjistratëve.