Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet në lidhje me dosjen KAYO, duke zgjeruar edhe numrin e personave dhe zyrtarëve që ka vendosur nën lupë. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka sekuestruar telefonin e ish drejtorit juridik të kompanisë, Ardit Hysa, i cili aktualisht mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Në fillim të tetorit, SPAK ushtroi kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet, e pozicionuar në zonën e Lundrës, në periferi të kryeqytetit. Një ditë më pas, me vendim të gjykatës SPAK sekuestroi celularin e ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Aleks Marku. BKH ka sekuestruar edhe telefonin e biznesmenit Ron Yeffet, të biznesmenes Arjeta Puca dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu. Kontrolle janë ndërmarrë edhe në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë larguar prej andej me disa dokumenta.