Mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme u artikulua për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura të Partisë Socialiste. Vonesa e deputetëve në takim por edhe domosdoshmëria për angazhim më të madh të tyre në punimet parlamentare bëri që Rama t’i paralajmërojë për mundësinë e ballafaqimit me votuesit shqiptarë para 2025-ës. Për herë të parë, kongresi i Partisë Socialiste u parapri nga një tur në të gjitha qarqet e vendit, ku vetë kryesocialisti Edi Rama, shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Blendi Klosi dhe drejtuesit politikë të qarqeve testuan elektoratin dhe u prezantuan atyre platformat e reja qeverisëse. Ambicia e Ramës e shpalosur për më shumë 90 minuta në kongres shkon së paku deri në vitin 2030.