Diplomatët dhe analistët thonë se spastrimet e drejtuesve ushtarakë mund të kenë dobësuar gatishmërinë luftarake të Kinës, por ka gjasa të kenë forcuar kontrollin e Presidentit Xi Jinping mbi një institucion që përbën një burim kyç pushteti për Partinë Komuniste në pushtet. Atashetë ushtarakë rajonalë dhe analistët e sigurisë po e ndjekin nga afër këtë fushatë masash të ashpra, ndërsa Kina intensifikon përpjekjet për modernizimin e ushtrisë dhe shton dislokimet rreth Tajvanit, si dhe në zona të tjera të kontestuara në Detin e Kinës Jugore dhe atë Lindor. Lajmi i kësaj jave për përjashtimin nga Partia Komuniste dhe ushtria të dy drejtuesve të lartë ushtarakë, Zhang Youxia dhe Liu Zhenli, nga ana e Byrosë Politike, shënoi lëvizjen më të fundit në këtë fushatë të gjatë spastrimi.