Prokuroria e Posaçme ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e ndërmarrë paraditen e se enjtes në qytetin e Durrësit dhe në zonën e Shijakut. SPAK thotë se në shënjestër të operacionit ishin elementë të dy grupeve të strukturuara kriminale të përfshirë në vrasje me paramendim, kryer për hakmarrje dhe për tjetërsim të pronave në bregdet përmes falsifkimit të dokumentacionit, apo korruptimit dhe shantazhit ndaj zyrtarëve shtetërorë.