Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas atentatit që i mori jetën 44-vjeçarit Artan Myrtajt, ndërsa Xhevdet Skëndaj, kalimtar i rastit, u plagos. Gjatë takimit, Hita kërkoi që hetimet për ngjarjen të jenë të shpejta dhe të thelluara, ndërsa strukturave u kërkoi një skanim të plotë të situatës kriminale në zonën e Sarandës. Fokusi do të jetë te evidentimi i konflikteve, personave me precedentë kriminalë dhe kontingjentit kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe persona që lëvizin në mënyrë të përkohshme.