Greqia po përballet me një rritje të shpejtë të rasteve me Virusin e Nilit Perëndimor. Deri më 19 gusht janë regjistruar 157 raste dhe 13 viktima, duke e renditur vendin të dytin në Evropë për përhapjen e virusit, pas Italisë. Vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 47 raste të reja dhe 4 viktima. Vatra kryesore këtë verë është Atika, veçanërisht pjesa lindore e saj, ku autoritetet kanë intensifikuar spërkatjet kundër mushkonjave. Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, aktualisht 42 pacientë ndodhen të shtruar në spitale, 23 prej tyre në terapi intensive ose në njësitë e kujdesit të shtuar. Virusi transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, të cilat e marrin virusin pasi pickojnë shpendë bartës. Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, por rreth një në 150 raste mund të zhvillojë komplikacione të rënda neurologjike. Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës, përgjumja, konvulsionet ose paraliza kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të zbatojnë masat mbrojtëse, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se sezoni i virusit ende nuk ka përfunduar.