Vrasja e 27 vjecarit nga Vlora që mbeti i vrarë mbrëmjen e së martës në Dukat të Vlorës është nën hetim dhe policia, për shkak të kushteve të errësirës ka nisur këqyrjen e vendin të ngjarjes. Ekspertët e grupit hetimor janë duke marrë në pyetje edhe personin që lajmëroi se një makinë ka dalë nga rruga dhe në të ishte një njeri i vrarë. Beniamin Bezhani u vra me armë zjarri në aksin Orikum-Llogara brenda makinës së tij, teksa po kthehej në shtëpi pasi sapo kishte lënë të fejuarën në banesën e saj. Autorët e atentatit e kanë ndjekur dhe kanë nisur që të qëllojnë drejt makinës së tij, e cila ka marrë dhjetra plumba. Tetë prej tyre kanë kapur 27-vjeçarin në trup duke e lënë të vdekur. Mësohet se hetimet janë fokusuar tek e shkuara e të riut, pasi ai ishte dënuar me burg për trafik droge në Itali. Pikërisht përplasjet për çështje droge, dyshohet të jenë bërë shkak për vrasjen e Bezhanit. Të riut iu gjet dhe një armë në makinë, gjë që tregonte mjaft qartë se ai po ruhej.