Situata në Delvinë dhe në Gjirokastër është vendosur nën kontroll, pas më shumë se 6 ditësh përballje të pandërprerë me zjarret. Flakët kanë lënë pas dëme të mëdha dhe vlerësimi i tyre pritet të zgjasë. Zjarret përfshinë rreth 60 kilometra territor në Finiq dhe Delvinë, duke shkatërruar banesa, bagëti, vreshta, ullishte, koshere bletësh, rezerva ushqimore për kafshët, rrjetin e ujësjellësit dhe furnizimin me energji elektrike. Banorët kanë deklaruar se nuk mbajnë mend ndonjë situatë të ngjashme më pare, ndërsa autoritetet kanë theksuar se bashkitë e vogla si Delvina dhe Finiqi nuk kanë kapacitete financiare për të përballuar kompensimin e dëmeve të këtyre përmasave. Rreth 1000 banorë të evakuuar nga Delvina janë rikthyer në shtëpi për të marrë masa stabilizimi, ndërsa parku natyror “Syri i Kaltër” mbetet i mbyllur për publikun. Rreziku i riaktivizimit të zjarreve mbetet akoma i lartë, por ekipet zjarrfikëse dhe vullnetare janë të dislokuara në terren për të shmangur rindezjen e flakëve.