Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mungoi sërish në seancën e kësaj të marte në GJKKO, ku përmes një deklarate, kërkonte të përfaqësohej nga avokati i tij Plarent Ndreca. Në procesin me gjykim të zakonshëm për 11 të pandehur, mes tyre Veliaj dhe bashkëshortja Ajola Xoxa, mungoi edhe mbrojtja e kryebashkiakut, Plarent Ndreca, me arsyetimin se ndodhej në një tejtër proces në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e shkuar, Gjykata shtyu procesin me dy javë për t’i lënë kohë Xoxës të paraqitej, pasi kërkoi pezullim të procesit deri në përfundim të lejes së lindës, por as këtë të martë e pandehura nuk u paraqit duke këmbëngulur se e ka të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore.