Kryebashkiaku I Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar në Gjykatën Kushtetuerse kërkesën për shfuqizimin e vendimit të GJKKO në seancën paraprake ku vendosi kalimin e dosjes në ngarkim ndaj tij për t’u gjykuar. Avokati mbrojtës i Veliajt, argumenton se ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave të kryebashkiakut, pasi atij I është mohuar dhënia e dosjes. “Ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore. Z. Veliaj dhe mbrojtjes së tij i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, duke e reduktuar mbrojtjen në një formalitet; Z. Veliaj është trajtuar në mënyrë të tillë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave ku ai duhet të mbrohet i lirë.”, thuhet në argumentet e paraqitura në Kushtetuese. Sipas palës mbrojtëse vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë mbi një proces të kompromentuar në themel, duke prodhuar një proces antikushtetues dhe për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme. Veliaj përmes këtij veprimi kërkon nga Kushtetuesja të shfuqizojë vendimin e seancës paraprake si dhe të shpallë të pavlefshme veprimet e kryera ndaj tij.