Ukraina dhe Siria janë zotuar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë bisedimeve të zhvilluara në Damask. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një vizitë zyrtare, ku u takua me presidentin e përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa, në përpjekje për të zgjeruar lidhjet në Lindjen e Mesme. Kjo ishte vizita e parë e Zelenskyt në Siri që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në vitin 2024. Ai theksoi mbështetjen e Ukrainës për një Siri të re dhe gatishmërinë për bashkëpunim në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Nga ana e tij, al-Sharaa tha se bisedimet u fokusuan në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimin e ekspertizës, duke e cilësuar vizitën si pjesë të përpjekjeve të Sirisë për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare pas viteve të luftës dhe izolimit. Ndërkohë, vëmendje e veçantë mbetet te prania ushtarake ruse në Siri, me bazat strategjike në Tartus dhe Khmeimim që vazhdojnë të luajnë rol kyç për Moskën në Mesdhe, ndërsa Damasku kërkon të balancojë marrëdhëniet mes Rusisë dhe partnerëve të rinj ndërkombëtarë.