Presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur sërish mllefin e tij me Rusinë, pas sulmeve të saj vdekjeprurëse në Kiev që lanë të vdekur 28 persona dhe plagosën dhjetëra tjerë, duke i quajtur veprimet e Moskës “të neveritshme” ndërkohë që është zotuar për sanksione të reja. “Mendoj që është e neveritshme ajo që po bën Rusia”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Ajo çfarë po bën Rusia është shumë pikëlluese. Shumë njerëz janë duke vdekur”, shtoi ai. Trump tha se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin sanksione të reja ndaj Moskës, pa ofruar më shumë hollësi. Megjithatë, ai shtoi se “nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.