Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, refuzoi të thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse i humb zgjedhjet presidenciale të nëntorit. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse do ta transferonte në mënyrë paqësore detyrën. Ai po ashtu tha se beson se rezultati zgjedhor mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së, pasi sërish vuri në dyshim votimet me postë. Gjithnjë e më shumë shtete në SHBA janë duke inkurajuar votimin me postë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, është e pazakontë që një president amerikan të shprehë pak besim në procesin zgjedhor të demokracisë së SHBA-së.