Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se është tërhequr nga kërcënimet për veprime të menjëhershme ushtarake kundër Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve që vazhdojnë për Ngushticën e Hormuzit, duke sugjeruar se do të lejojë që presioni ekonomik ta detyrojë Republikën Islamike të arrijë një marrëveshje paqeje, e cila prej kohësh ka mbetur e paarritshme. “Po e mbajmë me tone të ulëta”, i tha Trump portalit të lajmeve Axios, në një bisedë të shkurtër telefonike të dielën, duke përdorur një shprehje që përgjithësisht i referohet veprimeve të përmbajtura. “Ne vetëm po negociojmë pjesërisht me ta. Thjesht po e vëzhgojmë Iranin me inflacionin e tij të madh, dhe faktin që nuk kanë para”, u citua Trump. Axios shtoi se ai nuk bëri kërcënime të tjera ushtarake gjatë intervistës.