Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të krijojnë një bllokadë që ua pamundëson anijeve hyrjen dhe daljen prej porteve iraniane. Sipas tij, bllokada hyn në fuqi më 13 prill, në orën 10:00, sipas orës lindore. Duke e bërë të ditur lajmin, Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila është përgjegjëse për të gjitha forcat ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, ka thënë se bllokada do të vlejë ndaj anijeve të të gjitha shteteve “pa asnjë dallim”, dhe kështu ato nuk do të mund të hyjnë dhe as të dalin prej porteve iraniane dhe brigjeve detare në “Gjirin Arabik” si edhe në Gjirin e Omanit. Komanda Qendrore nuk ka dhënë më shumë hollësi për bllokadën, përfshirë të dhënat se sa anije amerikane do të angazhohen për ta jetësuar atë, por vetëm ka thënë se masa do të vlejë për të gjitha anijet që synojnë të hyjnë dhe dalin nga Irani.