Tre vëllezër, të identifikuar si Ervis, Altin dhe Maksim Alla janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, për shkak se kanë vendosur tritol në banesën e një 72-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në zonën e Tufinës në kryeqytet. Të tre vëllezërit me precedentë të mëparshëm penale, kanë vendosur lëndën shpërthyese në derën e banesës së të moshuarit, duke shkaktuar dëme të pakta materiale. Dyshohet se djali i 72-vjeçarit kishte bërë porosi në mobilerinë e vëllezërve, por nuk kishte kryer pagesën, duke u bërë shkak për konflikt mes tyre. Tre vëllezërit akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, ndërsa policia është vënë ne ndjekje të tyre.