Policia e Sarandës thotë se ka goditur një tentativë trafiku klandëstinësh, që synonin përdorimin e territorit të Shqipërisë si tranzit për të hyrë ilegalisht në vendet e BE. Operacioni i koduar ‘Kufijtë’ u ndërmor në vendin e quajtur Pagane pranë kufiti me Greqinë, ku dy automjete po transportonin 6 shtetas nga Azia. Në pranga ranë dy persona, shtetas shqiptarë përkatësisht 50 dhe 59 vjeç, që të dy banues në Tiranë, ndërsa u ndaluan edhe gjashtë emigrant nga Pakistani, Bangladeshi dhe India. Policia thotë se ka bllokuar në cilësinë e provës edhe dy automjete, njëri prej të cilit me targa të verdha dhe sinjalistikë dalluese të ofrimit të shërbimit taksi, ndërsa mjeti tjetër rezultonte me targa civile. Hetimet janë shtrirë në zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.