Policia greke ka goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në ishullin e Mikonosit në Greqi dhe që dyshohet se drejtohej nga një 37-vjeçar shqiptar. Sipas mediave greke, shqiptari përdorte një kompani transporti turistësh me furgonë për të kamufluar aktivitetin kriminal. Automjetet e kompanisë shërbenin jo vetëm për lëvizjen e anëtarëve të grupit, por edhe për shpërndarjen e drogës, kryesisht në qytetin e Mikonosit dhe në zonat me fluks të lartë turistësh. Gjatë operacionit u arrestuan pesë anëtarë të organizatës, ndërsa hetimet tregojnë se aktiviteti kriminal kishte nisur në mesin e muajit prill. Fitimet e paligjshme nga shitja e drogës llogariten në rreth 700 mijë euro.