Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Një dokument i vitit 2001, i emërtuar “Leptiri”, i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, po shqyrtohet nga Prokuroria Speciale si dëshmi që lidhet me strukturat e atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB). Sipas dosjes së prokurorisë, dokumenti përshkruan një plan operativ që kishte për synim komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai ishte i burgosur në Serbi. Me anë të atij materiali, synohej ushtrimi i presionit ndaj Kurtit për bashkëpunim me Sigurimin Shtetëror të Serbisë.