Irani u ka përcjellë ndërmjetësve kushtet e tij për rifillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund luftës mes dy vendeve. Lajmin e bëri të ditur sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Sipas tij, Teherani kërkon që luftimet të përfundojnë në të gjitha frontet përpara se të rifillojë procesi i negociatave. Në listën e kushteve të paraqitura nga pala iraniane përfshihet edhe lirimi i aseteve iraniane, të cilat aktualisht janë të bllokuara, si dhe heqja e bllokadës detare. Ai tha se komunikimet përmes ndërmjetësve vijojnë dhe se Katari dhe Pakistani po luajnë rol në përpjekjet për të rikthyer palët në tryezën e negociatave. Sipas tij, Teherani i ka përcjellë qëndrimin e tij palës amerikane dhe tashmë pret një përgjigje nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.