Për Partinë Demokratike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet, vendosja e minimumit jetik dhe subvencionimi I shpenzimeve për shkollën janë tre masa të domosdoshme që qeveria duhet të ndërmarrë përballë rritjes së çmimeve. Këto masa ne i konsiderojmë masat më të domosdoshme për t’iu kundërvënë lakut të urisë, mjerimit dhe varfërisë që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në familjet shqiptare në nevojë. Por natyrisht, përkundrejt këtyre masave, narkoqeveria ofroi njëherë Besën, dhe pasi i doli kallp Besa, tani Pasqyrën, një mashtrim të turpshëm të dytë duke dëshmuar se nuk jeton në këtë realitet, por jeton tërësisht në kullën e fildishtë të pushtetit të saj dhe nuk ka asnjë interes të përbashkët me qytetarët, përveç interesave të pasurimit të qytetarëve.