Mjaftuan pesë minuta që stuhia e shtrëngatat që përfshinë qytetin bregdetar të Sarandës gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të martës të shkaktonin probleme të shumta. Shumë pemë u rrëzuan si pasojë e erës së fortë, duke shkaktuar bllokim të rrugëve. Dëme pësuan edhe bizneset përgjatë shëtitores ku era e fortë mori karriget e tavolinat si dhe dëmtoi disa tenda. Në rrugën përballë stadiumit një pishë u rrëzua dhe dëmtoi 3 mjete që ishin parkuar aty. Po ashtu, nga stuhia u plagosën dhe tre qytetarë të cilët morën plagë nga thyerja e xhamave si rrjedhojë e stuhisë së fortë. Punonjës të shërbimeve të bashkisë ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën.