Tirana mikpret sot një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare të vitit, edicionin e Katërt të Samitit të Diasporës. Nën moton: ‘Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes në orën 18:00, ku do të marrin pjesë personalitete nga të gjitha trevat shqiptare e diaspora. Ndërkohë nga data 14 deri më 15, aktiviteti do të ketë një program të larmishëm me panele që do të shtrihen përgjatë gjitha fashave orare të ditës, ku do të preken fusha të ndryshme për t’u diskutuar si: ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar. Pjesë e këtyre paneleve do të jenë: politikanë, ministra, e kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës që do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal e rural; integrimin evropian; edukimin; shkencën; shëndetësinë; mësimin digjital dhe gjuhën shqipe.