Karrigia e presidentit të shtetit do të çelë diskursin politik të fillimvitit 2022. Teksa të gjithë i kanë sytë tek kushtetuesja, ekzistojnë dy skenarë të mundshëm mbi fatin e presidencës. Ashtu sikurse u artikulua edhe gjatë konferencës për shtyp të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kushtetuta e parashikon qatësisht se çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese vendos shkarkimin e Ilir Metës. Në nenin 91 të kushtetutës shkruhet se kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.