Refuzimi i postës së Shijakut për të kryer një transfertë në drejtim të postës së Durrësit me pretendimin se kjo degë kishte borxhe të pashlyera ndaj saj zbuloi skandalin e grabitjes së 700 mijë eurove para nga fondet për pensionet dhe ndihmën ekonomike. Në dosjen e Prokurorisë së Durrësit thuhet se pas këtij vendimi të postës së Shijakut nisën verifikimet në sistem, që zbuluan se skema e grabitjes së parave të të moshuarve dhe personave në nevojë ishte e shtrirë edhe në degën e Krujës. Dosja e prokurorisë zbulon se në total janë prerë 11 mandat-pagesa, që nuk janë pasqyruar si hyrje në arkat e postës së Shijakut dhe Krujës. Analiza e kamerave të sigurisë tregojnë shefen e financës së postës së Durrësit, Valbona Duni teksa transportonte para me thasë nga arka drejt zyrës së Elisabeta Matajt. Pamjet tregojnë se Mataj ka dalë disa raste nga zyra e saj me çantë, ose qese të zezë, ku dyshohet se ka përvetësuar paratë. Financierja Valbona Duni ka pranuar se ka përgatitur mandate-pagesat, por me urdhër verbal të drejtores Elisabeta Mataj. Duni thotë gjithashtu se Mataj merrte paratë me argumentin se do t’i dërgonte vetë te degët e postës në Shijak dhe Krujë.