Skandali që ka përfshirë gjigantin teknologjik Nvidia po shkakton përplasje të forta brenda administratës së Donald Trump. Në qendër të kritikave është sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ndaj të cilit po shtohen thirrjet për dorëheqje, për shkak të rolit të tij në marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe kompanisë së njohur të prodhimit të çipave. Sipas një investigimi të CNN, Lutnick ka luajtur një rol kyç në afrimin e presidentit Donald Trump me Jensen Huang, drejtuesin e Nvidia-s. Megjithatë, tashmë ai po përballet me pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë trajtuar dyshimet mbi eksportin e teknologjisë amerikane drejt Kinës. Hetimi, i mbështetur në dëshmi nga më shumë se një duzinë burimesh në administratën amerikane dhe industrinë e teknologjisë, zbulon se ndërsa Lutnick ndërtonte një marrëdhënie të ngushtë me Huang, institucione të tjera amerikane paralajmëronin për rreziqe të mundshme për sigurinë kombëtare. Në qendër të çështjes është kompania Megaspeed International, me seli në Singapor, një prej klientëve të rëndësishëm të Nvidia-s. Kompania po hetohet për dyshimet se mund të ketë ndihmuar në shmangien e kufizimeve amerikane për eksportin e mikroçipave të avancuar drejt Kinës. Vëmendjen e autoriteteve e ka tërhequr edhe Alice Huang, ish-punonjëse e kompanisë dhe sipërmarrëse kineze, e cila, sipas raportimeve, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me Jensen Huang. Ajo po shqyrtohet nga shërbimet amerikane të inteligjencës për lidhje të mundshme me shërbimet sekrete kineze.Largimi i Huang nga drejtimi i Nvidia-s, të enjten më 12 nëntor, e ka vendosur çështjen në qendër të debatit politik në Uashington. Sipas raportimeve në mediat amerikane, disa këshilltarë të Trump po diskutojnë edhe mundësinë e largimit të Lutnick nga posti i ministrit të Tregtisë.