Krimet në internet po shtohen me ritme të shpejta në Shqipëri, duke e kthyer hapësirën online në një terren gjithnjë e më të madh të aktivitetit kriminal. Fenomeni përfshin një gamë të gjerë veprash, nga hapja e profileve false dhe mashtrimet online, te skemat përmes call center-ave apo kriptovalutat. Të dhënat e INSTAT tregojnë se krimet kibernetike janë shumëfishuar ndër vite. Në vitin 2022 u evidentuan 152 vepra penale, në vitin 2024 numri arriti në 388, ndërkohë në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti, Policia e Tiranës ka regjistruar 250 raste të krimeve kibernetike. Rritja shoqërohet edhe me më shumë persona të dëmtuar. Nga 102 persona në vitin 2022, numri i tyre shkoi në mbi 350 në vitin 2024, më shumë se trefishuar.