Ushqimi dhe strehimi janë shtrenjtuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Inflacioni i qerave u rrit në 7.7 për qind në muajt janar-shkurt, duke shënuar vlerat maksimale historike të këtij treguesi. Rritja e çmimit të qerave vjen si pasojë e kërkesës së lartë, në kushtet kur mundësitë për të blerë një apartament janë të ulëta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kërkesa për kredi nga individët u raportua në rënie për të dytin tremujor me radhë. Në gjykimin e bankave, kërkesa e ulët vjen për shkak të kufizimeve të vendosura mbi kreditë për pasuritë e paluajtshme. Ndërkohë kredia e bizneseve raportohet e lartë, kryesisht nga bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat i drejtohen bankave të nivelit të dytë për të financuar investimet e tyre.