Dy parti të opozitës në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë refuzuar ftesën për takim të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që pritet të mbahet të martën e ardhshme. I pari që iu përgjigj negativisht ftesës ishte kryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Në reagimin e tij, ai tha se nuk do të bëhet pjesë e asaj që e cilësoi si “farsë”, duke akuzuar Vetëvendosjen se përmes këtij takimi synon ta çojë sërish vendin në zgjedhje. Pas AAK-së, edhe PDK-ja refuzoi ftesën e Haxhiut. Deputeti Uran Ismaili, në një deklaratë nga Kuvendi në Prishtinë, e cilësoi takimin si një tentativë për manipulim politik nga Albin Kurti, veçanërisht lidhur me shtyrjen e afateve përballë atyre të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.