Duke hedhur pas krahëve hatërmbetjet e së kaluarës, kryeministri Rama shtrëngoi duart me homologun grek, Mitsotakis për një dokument partneriteti strategjik, që siç premtuan ata, do të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve. Dy kryeministrat nuk dhanë detaje për shtigjet që do hapë kjo dakordësi, megjithëse vullneti i munguar politik ka lënë të hapura ndër vite një sërë çështjesh mes palëve, duke filluar nga përcaktimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive në Detin Jon, te marrëveshja e pensioneve, çështja çame, e deri tek pronat e pakicës greke në Shqipëri.