Fëmijët pa kujdes prindëror që vendosen në kujdes alternativ në familje do të përfitojnë mbështetje financiare mujore nga shteti. Skema e re, e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, parashikon që përfitues të jenë jo vetëm fëmijët, por edhe familjet që marrin përsipër kujdesin e tyre. Sipas projektvendimit, janë parashikuar tre forma mbështetjeje financiare. Çdo fëmijë do të marrë 12 mijë lekë në muaj për të përmbushur nevojat e përditshme të jetesës, si dhe një pagesë shtesë prej 35 mijë lekësh në muaj për shpenzime të tjera që lidhen me kujdesin dhe mirëqenien e tij.