Një shtetas shqiptar është arrestuar për herë të dytë brenda katër muajve nga policia italiane për trafik droge. Operacioni u zhvillua në zonën Sabbione të Ternit, ku karabinierët ndaluan të riun për një kontroll rrugor, pasi ishte i njohur për precedentë të mëparshëm penalë. Gjatë kontrollit të makinës së 24 vjeçarit, u gjetën 40 doza kokaine të fshehura poshtë dorezës së marshit, ndërsa në banesë iu sekuestruan edhe 4 mijë euro cash, të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës. Arrestimi u konfirmua nga gjykata më 2 gusht, ku u vendos masa ndaluese ndaj tij për të mos qëndruar më në provincën e Ternit, ndërkohë që hetimet ndaj tij do të vijojnë.