Ndërsa e gjithë Europa i është larguar makinave me naftë, në Shqipëri ato vijojnë të zënë peshën më të madhe të regjistrimeve të reja të autoveturave, duke i bërë dhe më të ndjeshme pasojat e rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga 17.7 mijë autovetura që u regjistruan për herë të parë në janar-mars të këtij viti, rreth 59% e tyre ishin me naftë. Në vitin 2024 në vendet europiane mesatarisht rreth 15% e regjistrimeve të reja ishin makina me naftë. Vendet në renditje pas Shqipërisë, Moldavia dhe Bosnjë Hercegovina e kishin këtë peshë përkatësisht 47% dhe 44%. Ndonëse në krahasim me 2024-n ka një rënie me 6 pikë përqindje, sërish pesha e makinave me naftë që hyjnë rishtazi në treg mbetet shumë e lartë, shkruan revista Monitor. Në Shqipëri, autoveturat e regjistruara rishtazi me benzinë ishin 18% e totalit në tre muajt e parë të 2026-s.