Linjëzimi 100 për qind i qëndrimeve në politikën e jashtme me qëndrimet e Bashkimit Europian është një prej pikave më të forta të lëvduara edhe nga Brukseli për Shqipërinë. Por, me sa duket Kosova është vija e kuqe, që këtë herë Brukseli e ka tejkaluar duke ndarë rrugët me Shqipërinë. Dy burime diplomatike pohojnë për Top Neës se Tirana ka shprehur mospajtim me Brukselin në lidhje me deklaratën e 19 shtatorit për dialogun Kosovë-Serbi. Dallimi, pohojnë burimet, nuk lidhet me thelbin e deklaratës, por me nevojën që ajo të ndryshohet në dritën e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.