‘Rrjedhje gazi nga zyrat e karburantit’, ka qenë ky shkaku që komunikoi drejtori i shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj për shpërthimin e fuqishëm në orët e para të mëngjesit në një karburant në zonën e Brrylit. Nga ky shpërthim me dëme të konsiderueshme materiale dhe shembjeje të godinës në disa pjesë, mbetën të lënduar tre punonjës të karburantit, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, e që fatmirësisht ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, edhe për kthimin e normalitetit në qarkullimin e automjeteve, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.