Dhjetëra mijëra persona kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore të Spanjës, duke kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e qiramarrësve dhe përballimin e krizës së strehimit. Rreth 50 marshime u zhvilluan në qytete të ndryshme të vendit, mes tyre Madrid, Valencia dhe Barcelona, vetëm një ditë pasi Kongresi spanjoll rrëzoi paketën emergjente të qeverisë për strehimin. Në Valencia, protesta u tensionua, me përplasje mes disa demonstruesve dhe forcave të policisë pranë qendrës së arteve Palau de les Arts Reina Sofía, ku po zhvillohej një samit për pasuritë e paluajtshme.