Kryeministri Edi Rama prezantoi ‘Shkallën e Meritës’, një reformë që ai thotë se synon të hapë dyert e administratës shtetërore dhe promovojë njerëzit më të aftë. ’Shkalla e Meritës’’ është një tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën shqiptare një hapësirë ku njerëzit më të aftë, njerëzit më të përgatitur, njerëzit më të përkushtuar dhe mbi të gjitha njerëzit më të dëshiruar që t'i shërbejnë vendit nga fronti i administratës, nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por dhe të ecin përpara kur hyjnë në shkallën e hierarkisë në administratë. Prandaj e kemi quajtur ‘’Shkalla e Meritës’’ dhe pjesë e kësaj reforme është edhe ç’ka kam shpallur me krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, një ministri që për herë të parë i përkushtohet tërësisht administratës dhe mirëqeverisjes dhe që përfshin organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor, cilësinë e shërbimeve dhe përgjegjësinë e shtetit dhe të secilit brenda administratës ndaj qytetarit që me të drejtë troket, kërkon, ankohet, kërkon t'i qahet halli dhe kërkon mbi të gjitha që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë.